– Mbi librin “Guri i fundit i dominosë” të Ilir Demaliajt, botim i Barletit, Tiranë 2015

Review nga Arber Ahmetaj

Askush, nuk do të mund të shkruajë, interpretojë apo analizojë me vërtetësi në planin historik ngjarjet e korrikut të vitit 1990 pa konsultuar librin e Demaliajt.

ilir« Guri i fundit i dominos » si libër ia ka mbërritur disa synimeve përnjëherësh, gjë e rrallë për një libër që m’ton me qenë dëshmi, përshkrim i ftohtë i ngjarjeve të përjetuara. Në historinë e këtyre 30 vitëve të fundit, Korriku i Ambasadave, (1990) siç ka hyrë në histori, është një prej ngjarjeve më tronditëse nga pikpamja njerëzore, siç është edhe ndër më vendimtaret në vrasjen e frikës dhe përgatitjen e rrëzimit perfundimtar të rregjimit vrasës të Tiranës komuniste. Ilir Demaliaj, edhe në mes të ngjarjeve, edhe pak më vonë kur ishte i lire e larg atdheut, edhe në dhjetor të 1990 e deri më sot nuk ka reshtur së dëshmuari për ato ditë historike. Libri i tij “Guri i Fundit i Dominos”, Botimet Barleti, Tiranë 2015, përbën aktin final: përshkrimin e atmosferës, fakteve, personazheve, të tezave e kundërtezave, të teorive falsifikuese që sollën me literaturën e tyre çoroditës e propagandistike protagonistët e krimit: shefat e Partis së Punës dhe ata të policies e hetuesisë së saj, drejtorët dhe zëvendëministrat e Sigurimit. Demaliaj arrin me këtë libër të hedhë poshtë tezat e tyre jo thjeshtë me dëshminë e njeriut që ka qenë aty, njeriut që ka bërë ngjarjen, por edhe me fakte, me dokumente që vetë manipuluesit sjellin në favor të tyre, duke argumentuar llogjikisht të kundërten, bazuar në thëniet e tyre. Kjo nuk vjen prej ndonjë superioritei intelektual apo filozofik, por për shkak se manipulatorët e kanë gjithmonë të vështirë të përdorin fakte reale tërësisht në funksion të tyre. Atyre iu duhen gjysmë fakte, fakte të përmbysura, të seleksionuara në funksion të tezës së tyre manipuluese. Kjo përbën dobësinë themelore të argumentit të tyre, e njëherësh epërsinë e Demaliajt për të cilin faktet me asnjanësine e vet të brendëshme, janë të mjaftueshme.

Duket haptazi qëndrimi i qartë i Demaliajt edhe ndaj asaj që komunistët e quanin shtresa e intelektualëve. Çdo mendje normale, e pashpërlare me dhunë, apo e pa mpleksur me interesa, pranon gjerësisht qëndrimin e argumentuar në libër se intelektualët shqiptarë të kohës mbetën shumë prapa, nuk dëshmuan kurrfarë kurajoje, për të mos thëne që shumica dërrmuese i ndejtën në shërbim të trupshëm kastës që i kishte krijuar. Modifikimet e mëvonshme, rrahagjoksjet e paturpshme, bllokimet e ekraneve etj, nuk ndryshojnë asgjë. Të shkuarën e vet s’e ble dot askush.

Libri sigurisht që do kishte mbetur skematik e i thatë sikur të përbëhej nga vetëm këto permasa, apo veç nga natyra polemizuese. Ajo që i jep sharm e endje leximi veprës është ngjyrimi i forte emocional, përshkrimi i situatave që shkaktojnë të qeshura, hutim e humor, mes gjithë asaj dramë, sjellja me gjallëri e dialogjeve, ngjarjeve, imazheve. Duket se përvoja ne kinostudio i ka dhënë Demaliajt mjetet e nevojshme për t’u përqëndruar me shumë saktësi mbi detaje, pa humbur shikimin nga e përgjithshmja, nga pamja e gjere e skenës. Janë të paharrueshme për lexuesin skenat në kinostudio, në rajonet e policies, gjatë xhirimeve në brigjet e Sarandës, demonstratat e heshtura në Tiranë, lajmet që vinin nga Shkodra e nga Kavaja, takimet e tij me personazhe politike e artistike, me shkrimtarë e ekonomiste, me shokët e lagjes e të fëmijërise, me sampiste e police, me diplomate e gazetare. Demaliaj e ka ruajtur ritmin e rrëfimit, e ka thyer atë me elegance duke sjellë figurat e dashura te prindërve, shokëve e miqve të tij, të diplomatëve gjermanë e personaliteteve tjera të OKB-së, duke sjellë ankthin dhe dramën e qindra mijëra njerëzve, e përmes saj natyrën e vërtete thellësisht kriminale të regjimit. Të duket sikur i ripërjeton ato ditë me drithërimat qe të shkakton leximi. Kjo është një përmase e fiksionit si lloj letrar, jo e letërsisë dokumentare. Por kjo ndodh se realiteti i përshkruar në libër ia kalon qindra here fiksionit më të papërmbajtur.

Autori zotnon force e teknikë përshkruese të konsiderueshme, gjë shumë e dobishme kur vjen puna me sjellë në tekst histori të perjetueme me të gjitha imtësitë, ngjyrat dhe thellësinë e tyre. Si pa dashje, por nxitur prej realitetit, me këte libër Ilir Demaliaj i ngre një monument mirënjohjeje radios së lirisë “Zerit të Amerikës. Po aq prekës është edhe monumenti që Demaliaj i ngre guximit, revoltës dhe rezistencës të qytetarëve të Tiranës kundër tiranisë komuniste.

Përfundimisht mund të thuhet që libri ia ka arritë të bëhet një dokument historik i dorës së pare, pra i dobishem. Askush, nuk do të mund të shkruajë, interpretojë apo analizojë me vërtetësi në planin historik ngjarjet e korrikut të vitit 1990 pa konsultuar librin e Demaliajt. Pak prej librave të shkruar për historinë tone këtë çerek shekulli më kanë pëlqyer si ky. Lexojeni e do të me jepni të drejtë.

Arbër Ahmetaj

Shkrimtar